E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Demokratët Europianë reagojnë për Euronews Albania: Meta t’i rikthejë menjëherë llogarinë

Demokratët Europianë reagojnë për Euronews Albania: Meta t’i rikthejë menjëherë llogarinë

Demokratët Europianë kanë reaguar pas bllokimit të llogarisë së Euronews Albania në Instagram, duke shprehur solidaritet dhe duke i kërkuar Meta-s të ndërhyjë menjëherë.

Në reagimin e publikuar në X, ata e cilësojnë “thellësisht shqetësuese” kohën kur ndodhi bllokimi, vetëm disa orë pasi emisioni “Review”, i moderuar nga gazetarja Greta Topjana, intervistoi Sekretarin e Përgjithshëm të Demokratëve Europianë, eurodeputetin Sandro Gozi.

Gjatë intervistës, Gozi foli për pezullimin e llogarive të aktivistëve në Shqipëri dhe kërkoi transparencë nga Meta lidhur me atë që po ndodh në Instagram.

“Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk mund t’u nënshtrohen kufizimeve të paqarta apo arbitrare,” thuhet në reagimin e Demokratëve Europianë.

Ata i bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë Meta-s që të sqarojë situatën dhe të rikthejë llogarinë e medias.

“I bëjmë thirrje Meta-s të ndërhyjë menjëherë, të sqarojë çfarë ka ndodhur dhe të rikthejë llogarinë pa vonesë,” përfundon reagimi.

Lini një koment