Departamenti amerikan i Drejtësisë u kërkon 29 shteteve të ruajnë të dhënat e zgjedhjeve të 2024-ës
Administrata Trump ka urdhëruar zyrtarët në 29 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias që të mos shkatërrojnë dokumentet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, në kuadër të fushatës për t’i detyruar shtetet t’i dorëzojnë të dhënat e detajuara të votuesve, pavarësisht humbjeve të përsëritura në gjykata.
Departamenti i Drejtësisë u ka dërguar letra zyrtarëve zgjedhorë, duke u kërkuar të ruajnë të gjitha dokumentet dhe të dhënat elektronike. Bëhet fjalë pikërisht për shtetet që administrata i ka paditur për të marrë listat e regjistrimit të votuesve, të cilat përmbajnë adresa, data lindjeje, numra patentash dhe pjesë të numrave të sigurimeve shoqërore.
Në një letër të siguruar nga agjencia AP, një zyrtar i Departamentit i shkruan zëvendësguvernatores së Utahs, Deidre Henderson, republikane, se ajo është “nën hetim” dhe subjekt i një procesi gjyqësor për dështimin e dorëzimit të listave shtetërore të votuesve. Letra, e nënshkruar nga Eric Neff, drejtues në detyrë i Seksionit të Votimit në Divizionin e të Drejtave Civile, paralajmëron se mosruajtja e të dhënave mund të përbëjë “shkatërrim provash”, që mund të sjellë “sanksione civile dhe penale”.
Kreu i Divizionit të të Drejtave Civile, Harmeet Dhillon, tha në një postim në X se letrat janë “praktikë standarde gjyqësore, jo ‘kërcënim'”. Por Henderson tha se asnjë letër e mëparshme e Departamentit nuk e kishte quajtur atë “nën hetim”: “Ishte pak shqetësuese në fillim t’i shihje ato fjalë”, u shpreh ajo.
Letra të ngjashme kanë marrë edhe sekretarët e shteteve të Arizonës dhe Minesotës. Minesota vuri në dukje se kërkesa shkon përtej detyrimit federal për ruajtjen e dokumenteve për 22 muaj pas zgjedhjeve. Zyrtarët zgjedhorë thonë se tashmë po zbatojnë ligjin dhe se sulmet dhe akuzat e vazhdueshme, sipas tyre të pabaza, nuk ndihmojnë sigurinë e zgjedhjeve.
Kërkesa për ruajtjen e dokumenteve vjen në mes të një konflikti të gjatë mes administratës dhe shteteve për të dhënat e ndjeshme të votuesve. Zyrtarët federalë thonë se u duhen të dhënat për të verifikuar zbatimin e ligjeve zgjedhore, por zyrtarët e shteteve druhen se të dhënat mund të përdoren për qëllime të tjera, si kërkimi i votuesve joqytetarë. Në një rast, një avokat i Departamentit pranoi se kërkoheshin të dhëna të plota për t’u ndarë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për verifikimin e shtetësisë.
Gjykatat i kanë rrëzuar vazhdimisht paditë e Departamentit të Drejtësisë, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche ka lënë të kuptohet se beteja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. Ndërkohë, FBI ka marrë tashmë dokumente dhe pajisje zgjedhore nga qarqet më të populluara të Arizonës, Xhorxhias dhe Miçiganit, pa shpjeguar se çfarë po kërkonte. Administrata vazhdon të ngrejë shqetësime për mashtrim zgjedhor, ndonëse rastet e votimit të paligjshëm janë të rralla dhe nuk ka prova për mashtrim të gjerë.
Burimi: AP (Associated Press)
https://apnews.com/article/midterm-elections-justice-department-secretaries-of-state-b92e31e436ccf31516e02f1ca9f69aea