Inflacioni në SHBA nuk zbutet: çmimet e karburanteve rriten nga lufta në Lindjen e Mesme
Inflacioni në Shtetet e Bashkuara u përshpejtua muajin e kaluar, pasi çmimet e benzinës u rritën ndjeshëm pas luftimeve të ripërtërira në Lindjen e Mesme — një sinjal tjetër i sfidave të kostos së jetesës, vetëm shtatë javë para zgjedhjeve afatmesme.
Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 3.4% në gusht krahasuar me një vit më parë, njoftoi të premten Departamenti i Punës — po aq sa në korrik. Por nga muaji në muaj, inflacioni u përshpejtua: çmimet u rritën me 0.4% nga korriku, katër herë më shumë se 0.1% e muajit paraardhës.
Çmimet e benzinës u rritën me 3.9% vetëm nga korriku në gusht dhe janë më shumë se 27% më të larta se një vit më parë. Mesatarja kombëtare për një gallon benzinë arriti të premten në 4.30 dollarë — 7% më shumë se një muaj më parë. Edhe nafta ka thyer rekorde, mbi 6 dollarë për gallon, duke shtrenjtuar transportin e ushqimeve dhe mallrave të tjera.
Por nuk po shtrenjtohet vetëm karburanti. Çmimet u rritën edhe për pajisjet shtëpiake, riparimet e makinave dhe shërbimet e telefonisë celulare. Biletat e avionëve u rritën me 2.7% në muaj dhe janë mbi 23% më të shtrenjta se një vit më parë; dhomat e hoteleve u shtrenjtuan me 2.4% në muaj. Pa ushqimin dhe energjinë, çmimet bazë ishin 2.4% më të larta se gushti i kaluar — rënia e tretë radhazi vjetore — por rritja mujore prej 0.3% ishte më e madhja që nga prilli.
Raporti i së premtes rrit presionin mbi Rezervën Federale për të rritur normën bazë të interesit në mbledhjen e javës së ardhshme, çka mund të shtrenjtojë kreditë hipotekore dhe ato për makina. Investitorët në Wall Street shohin tani mbi 80% gjasa që Fed-i ta rrisë normën më 16 shtator, sipas CME FedWatch. Kryetari i Fed-it, Kevin Warsh, dhe zyrtarë të tjerë kanë thënë se do t’u duhej të shihnin një zbutje të vazhdueshme të inflacionit për t’i lënë normat ku janë — dhe raporti i gushtit “nuk e solli këtë”, tha ekonomistja Kathy Bostjancic e Nationwide.
Administrata Trump po përpiqet t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve për çmimet e larta. Presidenti Donald Trump premtoi të mërkurën pagesa prej 5,000 dollarësh për çdo të rritur amerikan nëse republikanët ruajnë shumicën në Kongres — një premtim që do të kërkonte miratimin e Kongresit dhe që, sipas ekonomistëve, mund ta nxisë edhe më shumë inflacionin. Ndërkohë, Sekretari i Thesarit Scott Bessent ka shtuar blerjet e bonove të Thesarit për të mbajtur ulët normat afatgjata; yield-i i bonove 10-vjeçare arriti të enjten nivelin më të lartë në gati tre vjet dhe të premten tregtohej në 4.9%.
Burimi: AP (Associated Press)
https://apnews.com/article/consumer-prices-inflation-fed-interest-rates-c76f53f7a53def0c464ca44ac637f203