Monday, 19 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›“Requiem for the Living”, koncert në TKOB në kujtim të viktimave të 11 Shtatorit

“Requiem for the Living”, koncert në TKOB në kujtim të viktimave të 11 Shtatorit

“Requiem for the Living” quhej koncerti vokal-simfonik, tingujt e të cilit u shndërruan mbrëmjen e së premtes në një homazh për viktimat e 11 Shtatorit 2001, në një mbrëmje të veçantë kushtuar kujtesës, jetës dhe paqes.

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u ngjit Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, së bashku me solistët shqiptarë Ramona Tullumani, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Ekland Hasa, Flaka Goran dhe Diego Zelka, nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj.

I frymëzuar nga vepra me të njëjtin titull e kompozitorit amerikan Dan Forrest, koncerti bashkoi muzikën simfonike dhe vokale në një performancë me ngarkesë të fortë emocionale dhe shpirtërore.

Pjesë e mbrëmjes ishte edhe e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ajo tha se “në këtë përvjetor kujtojmë heronjtë e Nju-Jorkut dhe viktimat e 11 Shtatorit”, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në atë ditë të vështirë.

Përmes tingujve të veprës së Forrest, artistët sollën një homazh për mijëra njerëzit që humbën jetën në tragjedinë e 11 Shtatorit, por edhe një reflektim mbi vlerën e jetës, kujtesës dhe paqes.

Një mbrëmje që tejkaloi kufijtë e muzikës dhe riktheu në vëmendje, 25 vite më vonë, një ngjarje që tronditi botën. Një homazh që dëshmon se kujtesa mbetet e gjallë dhe se paqja është një mesazh universal.

Lini një koment