Gjykatësi bllokon sërish përpjekjen e bordit të Kennedy Center për t’i vendosur emrin e Trump në ndërtesë
Një gjykatës federal ka ndaluar sërish vendimin e Bordit të Qendrës John F. Kennedy për Arte Performuese për të vendosur emrin e Presidentit Donald J. Trump në ndërtesën kryesore, duke vlerësuar se propozimi bie ndesh me një urdhër gjykate dhe me dispozita të ligjit federal.
Sipas CBS News, gjykatësi i Qarkut, Christopher Cooper, lëshoi një urdhër që ndalon gërmimin e mbishkrimit ‘renovated and restored by Donald J. Trump’ në fasadë dhe emërtimin e kampusit si ‘President Donald J. Trump Plaza’. Në opinionin e tij 22-faqëshe, ai nënvizoi se bordi nuk mund të vendosë memoriale në Qendrën Kennedy pa miratimin e Kongresit.
Vendimi erdhi pas padisë së përfaqësueses Joyce Beatty, anëtare e bordit, e cila vitin e kaluar kontestoi ndryshimet që do të nderonin presidentin. Bordi, i kryesuar nga vetë Trump dhe i përbërë nga anëtarë të kabinetit dhe aleatë, miratoi në gusht një rezolutë që kërkonte vendosjen e mbishkrimit ‘Renovated and Restored by President Donald J. Trump’ nën emrin e qendrës dhe, nëse arrihej një objektiv prej 100 milionë dollarësh për mbledhje fondesh, shtimin e mbishkrimit ‘Endowed by the Trump Kennedy Center Fund’. Gjykatësi Cooper refuzoi të vendosë për këtë të fundit, duke vlerësuar se nuk ishte provuar se vendosja e tij do të ishte e afërt, apo e pashmangshme.
Avokati i zonjës Beatty, Nathaniel Zelinsky, përshkroi votimin e bordit si një përsëritje të sjelljes që sfidon urdhërin e gjykatës. Administrata Trump e ka apeluar vendimin e mëparshëm; Sipas raportimit të CBS News, Departamenti i Drejtësisë ka argumentuar në gjykatë se nuk bëhet fjalë për një ndryshim emërtimi, por për nderime të lidhura me përpjekje të vazhdueshme dhe të ardhshme për mbledhje fondesh që do të plotësonin si shtesë një shumë prej 257 milionë dollarësh të siguruar nga Kongresi për projektin e rindërtimit.