“Romeo + Juliet” e Baz Luhrmann kthehet pas 30 vitesh: shpallet turneu botëror i koncertit live-to-film
GEA Live, në bashkëpunim me Disney Concerts dhe me vetë regjisorin Baz Luhrmann, ka njoftuar datat e turneut botëror të “William Shakespeare’s Romeo + Juliet Film in Concert” — një event kinematografik live-to-film që shënon 30-vjetorin e filmit revolucionar të vitit 1996.
Premiera botërore do të jepet më 29 shtator në Sydney Opera House, ndërsa turneu nis zyrtarisht më 9 janar në Williamsport, Pennsylvania, për të udhëtuar më pas në tre kontinente.
Filmi i vitit 1996, me Leonardo DiCaprio dhe Claire Danes në rolet kryesore, e bëri Shekspirin të ndihej “i rrezikshëm dhe romantik për një brez të ri”. I publikuar më 1 nëntor 1996, ai hapi në vendin e parë në box office-in amerikan dhe u shndërrua në një klasik brezi, falë edhe kolonës zanore me këngë si “Kissing You” e Des’ree, “Lovefool” e The Cardigans, “Talk Show Host” e Radiohead dhe “#1 Crush” e Garbage.
Gjatë eventit, një ansambël hibrid rock dhe orkestër — i shoqëruar me vokal, elektronikë dhe DJ — do të performojë live partiturën dhe muzikën e filmit, në sinkron të plotë me filmin e shfaqur në ekran kinemaje, me dialogët dhe aksionin origjinal të paprekur.
“Ndër surprizat më të mëdha të këtyre tre dekadave ka qenë të shoh ‘Romeo + Juliet’ që gjen vazhdimisht publik të ri — kjo është magjia e përjetshme e Shekspirit dhe kinemasë,” është shprehur Baz Luhrmann. Sipas tij, koncerti i fton audiencat ta përjetojnë emocionin, muzikën dhe teatralitetin e filmit në një mënyrë krejt të re.
Para-shitja e biletave nisi sot, më 17 shtator, ndërsa shitja për publikun e gjerë hapet më 18 shtator në orën 10:00 me orën lokale, përmes faqes zyrtare romeoandjulietinconcert.com.
Burimi: FilmInk