Vjena i bashkohet protestave të diasporës kunër aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së
Pas protestave në Gjermani, Zvicër, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diaspora shqiptare është mobilizuar edhe në Vjenë të Austrisë, ku sot është protestuar kundër aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta në kryeqytetin austriak ka nisur në orën 14:00, ndërsa një numër i madh i shqiptarëve janë mbledhur me flamuj kuq e zi dhe flamuj të UÇK-së.
Protestuesit kanë bërë thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke përdorur parulla si “Liria ka emër”, “Jo në emrin tim” dhe “Liri për çlirimtarët e Kosovës”.
Mobilizimi i diasporës vjen pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të shpallur më 16 shtator, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar ditët e fundit edhe në qytete të tjera të Evropës.
Ndër kërkesat e shprehura në këto protesta kanë qenë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe krijimi i mbrojtjes së pakufizuar për ish-pjesëtarët e UÇK-së. /Telegrafi/