FOKUS – Përfundojnë zgjedhjet parlamentare në Rusi nën hijen e sulmit masiv me dronë ukrainas
MOSKË, 20 shtator /ATSH-DPA/ – Zgjedhjet parlamentare në Rusi, të parat që zhvillohen që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, përfunduan sot nën hijen e sulmeve masive me dronë ukrainas ndaj Moskës.
Zyrtarët rusë akuzuan Kievin se po përpiqej të pengonte procesin zgjedhor.
Zgjedhjet, të zhvilluara gjatë tri ditëve nga e premtja deri sot pritet t’i sigurojnë një tjetër fitore të thellë partisë Rusia e Bashkuar, e cila drejton vendin nën drejtimin e presidentit Vladimir Putin.
Organizatat për monitorimin e demokracisë, qeveritë perëndimore dhe kundërshtarët e Kremlinit i kanë cilësuar zgjedhjet si jo të lira dhe jo të ndershme.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, deklaroi se sulmet ajrore synonin të pengonin votimin për Dumën, dhomën e ulët të parlamentit rus.
Ajo akuzoi gjithashtu Ukrainën për sulme kibernetike ndaj sistemit rus të votimit elektronik, por tha se përpjekjet për të ndërprerë procesin kishin dështuar.
Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobianin, e përshkroi sulmin si “sulmin më të madh të dronëve armikë ndaj Moskës”, duke deklaruar se 450 dronë që drejtoheshin drejt kryeqytetit ishin interceptuar.
Megjithatë, disa dronë arritën në territorin e një rafinerie nafte në Moskë, ku u raportuan zjarr dhe re të dendura tymi.
Të paktën tre persona u vranë në rajonin e gjerë të Moskës dhe 20 të tjerë u plagosën, sipas autoriteteve ruse.
Dëmtime u raportuan në ndërtesa banimi, ndërsa qindra banorë u evakuuan.
Kufizime u vendosën edhe në të katër aeroportet e Moskës.
Ukraina konfirmon sulmet
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski konfirmoi sulmet ndaj rajonit të Moskës, duke thënë se ishin goditur një prej objekteve kryesore të industrisë ruse të naftës dhe një qendër logjistike.
Sipas tij, forcat ukrainase përdorën disa lloje armësh, përfshirë dronë dhe raketat “Flamingo” e “Pelican”.
Mediet ukrainase e kanë përshkruar “Pelican”- in si një raketë balistike të zhvilluar nga kompania ukrainase “Fire Point”.
Kompania ka deklaruar se raketa ka një rreze veprimi deri në 200 kilometra, distancë që nuk do të mjaftonte për të arritur Moskën nga territoret nën kontrollin ukrainas.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte përdorimi i parë i njohur i kësaj arme.
Presidenti Zelenski përmendi gjithashtu një sulm ndaj një objekti në rajonin e Voronezhit, në kufi me Ukrainën, dhe i bëri thirrje Moskës t’i japë fund luftës.
Guvernatori i Voronezhit, Aleksandr Gusev, deklaroi se 43 dronë ishin interceptuar mbi rajon.
Dy persona u plagosën, ndërsa shtëpi dhe automjete u dëmtuan.
Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objekteve në thellësi të territorit rus, veçanërisht ndaj infrastrukturës së naftës që siguron të ardhura të rëndësishme për përpjekjet luftarake të Moskës.
Përfundon procesi i votimit
Më shumë se 110 milionë rusë kishin të drejtë vote gjatë tri ditëve të zgjedhjeve për Dumën.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja kishte kaluar 50 për qind deri sot në orët e para të pasdites.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, pjesëmarrja zyrtare ishte 51,7 për qind.
Rezultatet e para priteshin pas mbylljes së qendrave të fundit të votimit në orën 20:00 sipas kohës lokale, në enklavën ruse të Kaliningradit.
Partia Rusia e Bashkuar, besnike ndaj Kremlinit, pritet të sigurojë një fitore të qartë.
Pas përjashtimit të forcave opozitare, të dhjetë partitë në fletën e votimit konsiderohen të afërta me Kremlinin dhe mbështetëse të pushtimit rus të Ukrainës.
Zgjedhjet ruse janë kritikuar prej kohësh për mungesë të konkurrencës së lirë dhe të drejtë.
Partia kundër luftës Yabloko, e cila u përjashtua nga zgjedhjet, dhe grupe të tjera raportuan shkelje të pretenduara që në ditën e parë të votimit.
Midis tyre u përmendën pengimi i vëzhguesve për të hyrë në qendrat e votimit, presioni ndaj punonjësve shtetërorë për të votuar dhe pretendimet për mbushje të kutive të votimit.
Disa votues thanë se nuk kishin marrë fletë votimi dhe ishin regjistruar për votim elektronik pa dijeninë e tyre.
Rusia akuzon Ukrainën për sulme në territoret e pushtuara
Pamfilova akuzoi gjithashtu Ukrainën për dhunë që synonte të pengonte votimin në territoret e pushtuara nga Rusia.
Ajo deklaroi se dy persona, përfshirë një anëtar të një komisioni lokal zgjedhor, u vranë kur një dron goditi një autobus në pjesën e rajonit të Hersonit që kontrollohet nga Rusia.
Presidenti Putin kishte akuzuar më herët Ukrainën për vrasjen e një zyrtari zgjedhor në pjesën e pushtuar të rajonit të Zaporizhas
Këto pretendime nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Pavarësisht protestave të Kievit, votimi u zhvillua në pjesët e kontrolluara nga Rusia të rajoneve ukrainase të aneksuara, Luhansk, Donetsk, Zaporizha dhe Herson, si dhe në Krime, gadishullin e Detit të Zi të aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Ukraina nuk i njeh rezultatet, ndërsa komuniteti ndërkombëtar e konsideron zhvillimin e zgjedhjeve në territoret e pushtuara ukrainase shkelje të së drejtës ndërkombëtare.