Sunday, 20 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaGJERMANI – Holm: Një mbrëmje e mrekullueshme për AfD-n pas fitores së pritshme në Mecklenburg-Vorpommern

GJERMANI – Holm: Një mbrëmje e mrekullueshme për AfD-n pas fitores së pritshme në Mecklenburg-Vorpommern

SHVERIN, 20 shtator /ATSH-DPA/ – Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) festoi fitoren sot në mbrëmje, pasi projeksionet sugjeruan se ajo kishte dalë forcë e parë në zgjedhjet rajonale në Mecklenburg-Vorpommern

Kjo shënon fitoren e dytë të partisë në zgjedhjet e një landi gjerman brenda vetëm dy javësh.

“Është një mbrëmje e mrekullueshme për Alternativën për Gjermaninë”, deklaroi Leif-Erik Holm, kandidati i partisë për postin e kryeministrit të landit, duke e cilësuar rezultatin e AfD-së si “vërtet të fortë”.

Projeksionet e para të transmetuesve ARD dhe ZDF e vendosën partinë, e cila mbështet dëbimet masive të migrantëve dhe marrëdhënie më të afërta me Rusinë, në kuotën 37–38 për qind.

AfD-ja renditej pak përpara Partisë Socialdemokrate (SPD) të kryeministres në detyrë të landit, Manuela Schwesig, e cila siguroi rreth 36 për qind të votave.

Holm deklaroi se AfD-ja do t’u propozonte të gjitha partive zhvillimin e bisedimeve për formimin e një qeverie.

Megjithatë, rruga drejt pushtetit pritet të jetë e vështirë, pasi të gjitha partitë kryesore kanë përjashtuar bashkëpunimin me të djathtën ekstreme, në përputhje me politikën e njohur si “firewall” (barriera politike).

Schwesig, e cila drejton landin që nga viti 2017, falënderoi votuesit dhe pranoi se kjo kishte qenë fushata më e vështirë elektorale e saj deri tani.

Vlerësimi i lartë që gëzon te qytetarët i dha një shtysë të vonshme SPD-së, e cila po përballet me vështirësi të mëdha në nivel kombëtar.

Një vit më parë, Schwesig deklaroi se shumë pak njerëz do ta kishin menduar të mundur që SPD-ja të arrinte AfD-në.

Kjo e fundit kishte kryesuar sondazhet për muaj të tërë, përpara se partia e Schwesig të ngushtonte diferencën.

“Që nga fillimi, ne besuam se ishte e mundur t’i bënim ballë AfD-së, e cila është forcuar ndjeshëm në Gjermaninë Lindore dhe në të gjithë vendin”, tha Schwesig.

Ajo deklaroi se ishte e gatshme të vazhdonte në postin e kryeministres së landit, duke parashikuar se AfD-ja nuk do të ishte në gjendje të formonte qeverinë.

Lini një koment