Rama pritet me protesta në Michigan
Kryeministri Edi Rama u prit me protesta në Michigan gjatë vizitës së tij këtë të diel (20 shtator 2026).
Dhjetëra protestues shqiptarë u mblodhën pasditen e së dielës jashtë Hotelit Marriott në Troy, në të njëjtën kohë me takimin që kryeministri mbajti me një grup të ftuarish. Protestuesit mbanin flamuj shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mesazhe të forta kundër kryeministrit, mes tyre: “Rama tradhtar anti shqiptar”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekja e tradhtarëve”, “Shqipëria nuk është për shitje!” dhe “Albania – a state captured by crime”.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe shpreh kundërshtimin e një pjese të komunitetit shqiptar të Michiganit ndaj vizitës së Ramës dhe mënyrës së organizimit të takimit. Protestuesit kritikojnë faktin se takimi u organizua me ftesa të përzgjedhura, kryesisht për mbështetës të qeverisë, duke lënë jashtë një pjesë të madhe të komunitetit.
Kryeministri Rama njoftoi vetë në Facebook udhëtimin në Shtetet e Bashkuara dhe takimin me shqiptarët e Michiganit, duke thënë se ishte i ftuar nga komuniteti dhe duke ftuar këdo që dëshiron të bashkohet.
Një shkrim opinioni i botuar edhe në shqipdetroit.com kishte kritikuar më herët organizimin selektiv të pritjes dhe kishte bërë thirrje që protesta të jetë paqësore dhe të drejtohet kundër qeverisjes së Ramës, jo kundër shqiptarëve që marrin pjesë në takim.
Vizita e Ramës në Michigan zhvillohet në kuadër të udhëtimit të tij në SHBA për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.