Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaRriten arkëtimet në buxhetin e shtetit, tejkalohet plani në 8 muaj

Rriten arkëtimet në buxhetin e shtetit, tejkalohet plani në 8 muaj

Të ardhurat e buxhetit vijojnë të rriten dhe gjatë 8-mujorit të vitit 2026 kanë kaluar lehtë objektivin e planifikuar. Sipas të dhënave paraprake të treguesve fiskalë, në arkën e shtetit janë mbledhur rreth 557.6 miliardë lekë, ose 100.1% e planit për periudhën janar-gusht.

Edhe shpenzimet publike kanë shënuar rritje. Për 8-mujorin, ato arritën në rreth 496 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 95.6% të planit, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë rritur me 8.2%.

Në rritjen e të ardhurave ka ndikuar ndjeshëm TVSH-ja neto e arkëtuar në vend. Nga ky zë janë mbledhur 56.8 miliardë lekë, rreth 24.2% më shumë se një vit më parë dhe mbi planin e periudhës.

Rritje ka shënuar edhe tatimi mbi të ardhurat personale, nga i cili janë mbledhur 65.5 miliardë lekë, ose 15.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sa i përket shpenzimeve, ato kapitale arritën në 56.7 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 12.2%, por realizimi kundrejt planit ishte 86.3%. Shpenzimet korente kapën 439.3 miliardë lekë.

Në fund të 8-mujorit, diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve të raportuara është rreth 61.6 miliardë lekë.

Lini një koment