Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaGJERMANI – Merz: CDU duhet të përballet me çështje themelore pas humbjes historike

GJERMANI – Merz: CDU duhet të përballet me çështje themelore pas humbjes historike

BERLIN, 21 shtator /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se partia e tij, Unioni Kristian-Demokrat (CDU), duhet të trajtojë “çështje themelore dhe afatgjata” në ditët në vijim, ndërsa përballet me humbjen historike në landin lindor të Mecklenburg-Vorpommern gjatë fundjavës.

Merz foli në një konferencë për shtyp, një ditë pasi CDU-ja nuk arriti të sigurojë vende në parlamentin e një landi për herë të parë në historinë 81-vjeçare të partisë.

CDU-ja humbi gjithashtu postin e kryetarit të bashkisë së Berlinit, rezultate që kanë shtuar spekulimet mbi të ardhmen politike të kancelarit.

“Për ta thënë hapur, nuk kemi më përgjigje të kënaqshme për shumë e shumë pyetje. Dhe kjo është diçka që ne do ta ndryshojmë dhe duhet ta ndryshojmë”, tha Merz, duke i përshkruar rezultatet si “një pikë kthese të madhe”.

I pyetur nëse besonte se kishte ende mbështetje të mjaftueshme brenda radhëve të partisë për të qëndruar në detyrë, kancelari Merz tha se “askush” nga drejtuesit e CDU-së nuk kishte ngritur “çështje që lidhen me personin” pas rezultateve të djeshme.

Merz mirëpriti gjithashtu faktin që Partia Socialdemokrate (SPD), partneri i vogël i koalicionit të tij qeverisës në nivel kombëtar, kishte rikonfirmuar sot në mëngjes angazhimin ndaj aleancës, pavarësisht humbjes së thellë të CDU-së në zgjedhjet e së djeshme. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment