Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaAzemi: Nëse s’respektohet paga minimale, punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë do të rifillojnë grevën

Azemi: Nëse s’respektohet paga minimale, punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë do të rifillojnë grevën

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë mund të hyjnë sërish në grevë nga 5 tetori, nëse institucionet nuk ndërmarrin masa për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi tha se sindikata që në fillim të gushtit e kishte paralajmëruar Komunën e Prishtinës se, nëse punëtorët nuk paguhen për muajt korrik dhe gusht konform vendimit për pagën minimale, do të ndërmerren veprime sindikale.

Më 1 shtator, punëtorët teknikë hynë në grevë në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit. Për shkollat fillore, pronari i kompanisë e përmbushi kriterin e pagës minimale nga buxheti i vet, por sipas Azemit kjo nuk do të jetë e mundur edhe për muajin shtator, pasi Komuna e Prishtinës nuk po e kryen detyrën që ka.

Azemi ka bërë të ditur se sindikata ka paralajmëruar edhe Qendrën e Studentëve, për shkak të mospagesës së punëtorëve konform vendimit për pagën minimale.

Burimi: Gazeta Express

Lini një koment