Më 26 shtator protestohet në Dyseldorf të Gjermanisë kundër dënimit të çlirimtarëve
Më 26 shtator, në Dyseldorf të Gjermanisë, është paralajmëruar një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njoftimi për tubimin vjen në një kohë kur qytetarët në Kosovë dhe në diasporë po vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj dënimit të çlirimtarëve nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas organizatorëve, protesta pritet të nisë në orën 17:30. Përmes kësaj nisme, ata synojnë të shprehin mbështetjen për UÇK-në dhe të përcjellin mesazhe solidariteti për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, katër ish-krerët e luftës që po përballen me drejtësinë në Hagë.
Pritet që në protestë të marrin pjesë qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, si dhe aktivistë të diasporës, të cilët prej kohësh po kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Ky është tubimi i radhës në një seri protestash që po mbahen në Kosovë dhe në diasporë kundër dënimit të çlirimtarëve nga Gjykata Speciale, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se mobilizimi do të vazhdojë deri në përfundim të procesit.
Burimi: Klan Kosova