Të dhënat e AMA-s nxjerrin blof Këlliçin për transmetimin e protestës!
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi një ditë më parë se protesta e opozitës nuk kishte marrë hapësirë nga mediat e tjera dhe se vetëm News24 dhe Syri TV e kishin pasqyruar atë në mënyrë të përditshme.
“Është e pavërtetë që mediat kombëtare i kanë dhënë hapësirë protestës. Ato nuk i kanë kushtuar asnjë minutë transmetim. Ju e dini shumë mirë se janë dy televizione, Syri TV dhe News24, të cilat e kanë pasqyruar protestën në mënyrë të përditshme”, deklaroi Këlliçi në takimin BE-Shqipëri.
Por të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) paraqesin një të vërtetë tjetër dhe jo atë që thotë Këlliçi.
Sipas monitorimit të AMA-s për 1–30 qershor 2026, News24 rezulton televizioni me kohën më të madhe të transmetimit live të protestës, me 154.4 orë.
Menjëherë pas tij renditet Top News, me 83.7 orë transmetim live, ndërsa Syri TV është në vendin e katërt, me 72.6 orë. Mes Top News dhe Syri TV renditet Fax News me 79.6 orë.
Pra, vetëm gjatë qershorit, Top News i ka kushtuar protestës rreth 11 orë më shumë transmetim live se Syri TV, i cili njihet dhe si televizion opozitar.
AMA sqaron se monitorimi përfshin 12 televizione informative me shtrirje në të gjithë vendin dhe se në llogaritje është marrë vetëm transmetimi i drejtpërdrejtë i protestës, pa përfshirë emisionet, komentet apo intervistat në studio.
Edhe të dhënat e korrikut 2026 e kundërshtojnë pretendimin se protesta është transmetuar praktikisht vetëm nga News24 dhe Syri TV.
Për periudhën 1–31 korrik, News24 renditet sërish i pari me 134 orë, ndërsa Top News është përsëri i dyti me 93.05 orë transmetim live. Ora News renditet e treta me 43.68 orë dhe Syri TV vetëm i katërti, me 42.86 orë.
Në korrik diferenca bëhet edhe më e madhe: Top News ka transmetuar rreth 50 orë më shumë protestë live se Syri TV.
Edhe për këtë periudhë, AMA sqaron se bëhet fjalë vetëm për minutazhin real të transmetimit të drejtpërdrejtë, jo për diskutime apo kronika në studio.
Pjesa e deklaratës së Këlliçit që krijon përshtypjen se vetëm News24 dhe Syri TV i kanë dhënë hapësirë protestës është manipulative dhe e pavërtetë.
Në fakt, Këlliçi duhet të ngrejë dyshime përse televizioni më i madh opozitar prej 13 vitesh, Syri TV, del në vendin e katërt, kur duhet të udhëhiqte listën për transmetimin live të protestës.
Gjithashtu televizionet e tjera e kanë transmetuar protestën. AMA ka bërë të ditur se matjet janë kryer me të njëjtën metodologji që përdor për monitorimin e proceseve zgjedhore.