Tirana bëhet gati për edicionin e 7-të të festës së ngjyrave
Kryeqyteti po përgatitet të presë, më 26 shtator, “Colourday Festival Albania”.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, duke thënë se pjesë e festës do të jenë disa nga artistët më të njohur të momentit. Gjithashtu do të ketë hapësira ku publiku mund të ndërveprojë duke u përfshirë në këtë festival ngjyrash, si dhe aktivitete argëtuese për të gjitha moshat, të cilat do ta kthejnë Tiranën në një festë plot ngjyra, muzikë dhe energji.
Ministri Gonxhja ftoi banorët e kryeqytetit të bëhen pjesë e atmosferës së “Colourday Festival Albania” dhe të shijojnë një ditë të mbushur me muzikë, argëtim dhe momente të veçanta.
I frymëzuar nga festivali ndërkombëtar Colour Day Festival, edicioni i Tiranës sjell energji, muzikë dhe pluhur ngjyrash për të gjithë: fëmijë, të rinj dhe familje. Ky do të jetë edicioni i 7-të i Colourday Festival Albania. Organizatorët thonë se në edicionet e mëparshme aktiviteti ka tërhequr më shumë se 30.000 vizitorë çdo vit.