Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaMasa ndaj drejtueses së SHISH, Berisha: Nivel i ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës

Masa ndaj drejtueses së SHISH, Berisha: Nivel i ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës

Kryetari i PD-së Sali Berisha në deklaratë për mediat sot më 22 shtator komentoi edhe aksionin e SPAK, ku u kontrollua banesa e ish-kryepolicit Ilir Proda dhe u dha masë sigurie “arrest shtëpie” për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.

Berisha theksoi se Hyseni shiste informacionet e SHISH edhe tek figura të tjera të qeverisë, duke thënë se ky është skandal tepër i rëndë.

Vlora Hyseni ishte bashkëpunëtore në krim, ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës se ky.

Rasti sot tregon më së qarti lidhjet e institucioneve shtetërore me krimin. Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera. E kam denoncuar para jush e publikut se SHISH-in e kontrollonte Ergys Agasi. Ergys Agasi drekonte me Vlora Hysenin në një lokal pranë shtëpisë sime”, tha Berisha.

Shtoi se nëse Vlora Hyseni është me kryeministrin Rama në SHBA, atëherë FBI duhet ta arrestojë.

Berisha i kërkoi Ramës që të japë dorëheqjen, pasi e akuzon si personin që ka dhënë urdhra për të gjithë personazhet e AKSHI-t.

Kryedemokrati theksoi se SPAK duhet të lëshojë urdhër-arrest ndërkombëtar për Vlora Hysenin.

“Nëse Vlora Hyseni ështe me Ramën në Shtetet e Bashkuara, i bëj thirrje FBI-së që ta arrestojë. Të gjithë këta persona kanë bërë çdo gjë, me urdhër të Edi Ramës. Për të gjitha këto, i kërkoj Edi Ramës dorëheqjen e menjëhershme.

I ftoj shqiptarët që të përballen me të gjithë forcën e tyre me këtë shtet kriminal, që nuk është shtet, por është një bandë kriminale. Të gjithë, Ergys Agasi, Ermal Beqiri kanë marrë urdhra nga ana e Ramës. I bëj thirrje SPAK-ut që të lëshojë urdhër-arrest ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Lini një koment