Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaKërkohet krijimi i një task-force pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kërkohet krijimi i një task-force pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Njohësi i çështjeve politike Melazim Koci vlerëson se nevojitet krijimi i një task-force të përbashkët, ku do të përfshiheshin përfaqësues të spektrit politik, shoqërisë civile dhe ekspertë ndërkombëtarë, me synimin që Gjykata e Apelit ta rrëzojë tërësisht vendimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Ky vendim nuk ka të bëjë vetëm me katër liderët e UÇK-së, ky vendim ka të bëjë edhe me fatin e Kosovës. Me bindjen time, nëse në Apel nuk anulohet në tërësi dënimi, Kosova mund të kthehet në vitin 2007, kjo është tendenca e atyre që kanë shqiptuar këtë dënim. Prandaj, uniteti paraqitet si diçka imperative, por ai unitet duhet të ndërtohet. Kam dëgjuar mbrëmë propozimin që kanë bërë PDK-ja dhe ai është propozim i mirë, për aq sa kam dëgjuar, por duhet më shumë. Unë mendoj se duhet krijuar një task-forcë që do të përbëhej nga përfaqësuesit e gjitha partive politike, të shoqërisë civile dhe të ekspertëve ndërkombëtar, sepse nuk jam i sigurt që Kosova ka mjaftueshëm ekspertizë për t’i bërë ballë situatës në të cilën gjendemi”, ka thënë Koci për Radio Dukagjini.

Ai ka propozuar që veprimet të zhvillohen në disa rrafshe, duke veçuar atë politik dhe juridik.

“Në rrafshin politik që do të informonte opinionin botëror, madje edhe me tekste të paguara në gazetat kryesore të botës, për një padrejtësi të jashtëzakonshme dhe ajo është punë e lehtë. Dhe e dyta, aspekti juridik që kërkon ekspertizë të jashtëzakonshme, dhe si për fat të keq unë mendoj që Kosova nuk e ka në doza të mjaftueshme dhe se duhet të angazhojë njerëz që janë të familjarizuar me Kosovën nga jashtë, ekspertë të jashtëzakonshëm të se drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar Koci.

Sipas Kocit, task-forca duhet të funksionojë në koordinim me institucionet e Kosovës, përfshirë Presidencën, Qeverinë dhe institucionet e tjera relevante./Telegrafi/

Lini një koment