Protestë në Prizren më 25 shtator, Totaj fton qytetarët: Me dinjitet, qetësi dhe zë të fuqishëm
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 25 shtatorit në këtë komunë, tubim ky që mbahet pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Totaj tha se qytetarët ftohen të marrin pjesë në tubimin paqësor për të shprehur qëndrimin dhe indinjatën e tyre, si dhe për ta mbrojtur dinjitetin e atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
“Ky është moment për të dëshmuar se zëri ynë mund të jetë i fuqishëm edhe kur shprehet me dinjitet, qetësi dhe në mënyrë demokratike”, ka shkruar ai.
Protesta do të mbahet te sheshi “Shadërvan” duke filluar nga ora 19:00, ndërsa organizohet nga fëmijët e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta.
“Me dinjitet. Me qetësi. Me zë të fuqishëm”, ka shkruar ndër të tjera Totaj.
Burimi: Klan Kosova