POLONI – Policia ndalon 17-vjeçarin e dyshuar për planifikimin e një sulmi në një shkolle ose xhami
VARSHAVË, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Shërbimet sekrete polake kanë ndaluar një 17-vjeçar, i dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist në një shkollë ose xhami, në kuadër të një hetimi ndaj një grupi të rinjsh aktivë në grupime neo-naziste dhe ekstremiste në internet, njoftuan sot prokurorët.
Analiza e pajisjeve të ruajtjes së të dhënave të të dyshuarit zbuloi planin e pretenduar, i cili synonte të shkaktonte “vdekjen e shumë njerëzve”, deklaroi një zëdhënës i prokurorisë.
Ministri i Drejtësisë, Waldemar Zurek, shkroi në platformën X se gjatë kontrollit të banesës së adoleshentit ishin gjetur armë, eksplozivë dhe sende me simbole naziste.
Sipas prokurorëve, të dhënat e sekuestruara gjatë operacionit treguan se i riu kishte vëzhguar objektiva të mundshëm.
Ai dyshohet gjithashtu se kishte komunikuar me persona të tjerë për kryerjen e sulmeve, sigurimin e armëve të zjarrit, municioneve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe përdorimin e granatave dhe koktejve molotov.
Adoleshenti është lënë në paraburgim për një periudhë tre mujore.
Agjencia polake e zbulimit të brendshëm ABW, deklaroi se ky ishte ndalimi i tretë në lidhje me hetimin ndaj grupit të të rinjve.
Agjencia kishte njoftuar të premten se ishin ndaluar edhe dy 16-vjeçarë nga skena neo-naziste. /Ad.Ab./ a.jor.