Një punonjës i Postës së SHBA-së akuzohet për hedhjen e mbi 300 fletëvotimeve në plehra gjatë primareve të Utah
Departamenti i Drejtësisë njoftoi se një punonjës i Shërbimit Postal të SHBA-së në Utah është akuzuar për hedhjen e më shumë se 300 fletëvotimeve që po dërgoheshin te votuesit për primaret e qershorit. Autoritetet thonë se incidenti ndodhi gjatë shpërndarjes së postës në Eagle Mountain, ku fletëvotimet dhe letra të tjera u hodhën në një kontenier në parkimin e një kishe dhe nuk u dorëzuan te përfituesit.
Sipas CBS News, 34-vjeçari Damon Matai Seei u arrestua dhe u paraqit përpara një gjykate federale në Salt Lake City, ku deklaroi se nuk është fajtor. Prokurorja e SHBA për Utah, Melissa Holyoak, tha se Seei “menjëherë mori fletëvotimet dhe i vendosi mënjanë” brenda 90 minutash nga fillimi i turnit dhe nuk dorëzoi asnjë prej tyre. Në akuzat gjyqësore përmendet edhe se i pandehuri ka pranuar në një intervistë se i hodhi letrat për t”u “lehtësuar nga puna”, sipas hetuesve.
Zyrtarët federalë theksuan se integriteti i votës është çështje jopartiake dhe se veprimi i vetëm i një individi mund të dëmtojë rëndë besueshmërinë e procesit zgjedhor. Shumica e votuesve në Utah përdorin votimin me postë, ndërsa në nivel kombëtar thuhet se pothuajse një e treta e votuesve zgjedhin këtë mënyrë. Për më tepër, në vitet e fundit ka pasur debate rreth kontrolleve shtesë për fletëvotimet me postë dhe sfidave ligjore ndaj rregullave të reja të Shërbimit Postal.
Hetimi ndaj Seei-t vazhdon ndërsa autoritetet federale ndjekin procedurat e mëtejshme; CBS News raporton se çështja po trajtohet si një shkelje serioze e ligjit federal mbi dorëzimin e postës dhe fletëvotimeve.