Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaAmerikaTrump do t’i kërkojë Xi Jinping të lirojë sizmiologun amerikan të burgosur në Kinë, përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë

Trump do t’i kërkojë Xi Jinping të lirojë sizmiologun amerikan të burgosur në Kinë, përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump do t’i kërkojë liderit kinez Xi Jinping lirimin e sizmiologut amerikan të burgosur në Kinë, kur të dy të takohen këtë javë në Shtëpinë e Bardhë, tha bashkëshortja e shkencëtarit pas një takimi me zyrtarë të lartë amerikanë.

Yufang Rong, bashkëshortja e ekspertit amerikan të testeve bërthamore koreano-veriore Youlin Chen, tha se Shtëpia e Bardhë e siguroi se presidenti Trump do ta ngrejë rastin e të shoqit gjatë takimit me Xi të mërkurën, më 23 shtator. Rong u takua të martën me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Youlin Chen, 54 vjeç, mbahet i burgosur në Kinë që nga fundi i vitit 2024. Bashkëshortja e tij ka frikë se Pekini planifikon ta gjykojë me akuza të fabrikuara spiunazhi, ndonëse kërkimi i tij shkencor ishte i financuar nga Shtetet e Bashkuara, i publikuar hapur, bazohej në të dhëna publike dhe u zhvillua në bashkëpunim me shkencëtarë kinezë.

Chen është një nga dy qytetarët amerikanë që Uashingtoni i ka shpallur “të ndaluar padrejtësisht”. Tjetri është studiuesi Min Zin, i arrestuar në qershor. Rong tha se presidenti Trump do të kërkojë lirimin e të dyve gjatë takimit me liderin kinez.

Trump e kishte ngritur më parë çështjen e Chen me Xi gjatë vizitës në Pekin në maj, por pa rezultat. Një zyrtar i lartë amerikan tha se “zgjidhja e ndalimeve të padrejta të qytetarëve amerikanë është gjithmonë prioriteti kryesor i presidentit”.

Ambasada kineze nuk komentoi rastin, ndërsa ministria e jashtme kineze deklaroi në korrik se “nuk ka të ashtuquajtur ndalim të padrejtë”. Trump do ta presë Xi të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë — takimi i dytë që nga maji — me temë kryesore tregtinë, Iranin dhe Tajvanin.

Burimi: Reuters

Lini një koment