Wednesday, 30 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Nufi në Ministerialin e Mbrojtjes në Slloveni: Koordinim më i ngushtë për forcimin e mbrojtjes kolektive

Nufi në Ministerialin e Mbrojtjes në Slloveni: Koordinim më i ngushtë për forcimin e mbrojtjes kolektive

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore (CEDC) dhe Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Brdo pri Kranju të Sllovenisë.

Takimi u fokusua te forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe te adresimi i sfidave të përbashkëta që lidhen me mjedisin aktual të sigurisë.

Gjatë Ministerialit, Nufi vuri theksin te nevoja për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, duke nënvizuar angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin në iniciativat e përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare.

“Shqipëria vijon e palëkundur dhe në mënyrë aktive kontributin e saj në çdo iniciativë të përbashkët rajonale dhe ndërkombëtare”, u shpreh Nufi.

Ministri veçoi Task Forcën Mjekësore Ballkanike si një prej shembujve të bashkëpunimit rajonal, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që kontribuon në zhvillimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë, në funksion të integrimit euroatlantik.

Në kushtet e një mjedisi sigurie gjithnjë e më kompleks, Nufi theksoi rëndësinë e koordinimit të ngushtë mes aleatëve dhe partnerëve.

“Mbete prioritare nevoja për një koordinim sa më të ngushtë ndërmjet aleatëve e partnerëve me qëllim forcimin e mbrojtjes kolektive dhe garantimin e paqes”, deklaroi ministri.

Ministeriali në Slloveni shërbeu si një forum për diskutimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për forcimin e mekanizmave të përbashkët për përballimin e sfidave rajonale dhe ndërkombëtare.

Lini një koment