Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaHargreaves uron Kurtin dhe Qeverinë e re, kërkon marrëveshje për presidentin para 6 tetorit

Hargreaves uron Kurtin dhe Qeverinë e re, kërkon marrëveshje për presidentin para 6 tetorit

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij pas konfirmimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Në reagimin e tij, ai tha se pas një periudhe të zgjatur të bllokadës politike, formimi i Qeverisë përbën një hap të rëndësishëm drejt institucioneve stabile dhe efektive.

“Pas ngërçit të zgjatur politik, ky është një hap i rëndësishëm drejt institucioneve stabile dhe efektive që mund të ofrojnë rezultate për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Hargreaves.

Ai ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar pret të punojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës gjatë muajve të ardhshëm.

Ambasadori britanik ka bërë thirrje që partitë politike tash të tregojnë përgjegjësi dhe bashkëpunim në procesin për zgjedhjen e presidentit para 6 tetorit.

“Shpresoj që të gjitha partitë politike tani të tregojnë frymë përgjegjësie dhe bashkëpunimi duke punuar së bashku për të zgjedhur një president para 6 tetorit”, ka thënë ai.

Sipas tij, një bashkëpunim i tillë do t’i ndihmonte Kosovës të ecë përpara me reformat, mundësitë dhe sfidat që e presin.

Hargreaves ka ritheksuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e palëkundur e Kosovës, me fokus në demokraci, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, siguri rajonale dhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Këto fusha përputhen edhe me prioritetet e deklaruara të Ambasadës Britanike në Prishtinë./Telegrafi.

Lini një koment