Mbushi Evropën me drogë, arrestohet në Rusi Shpëtim Aliu! SPAK e dyshon si bashkëpunëtor me grupet e Dritan Gjikës, Eldi
Salvatore alias Shpëtim Aliu, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe i konsideruar nga SPAK si një prej figurave kyçe të një rrjeti të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës, është arrestuar në Rusi.
Lajmi konfirmohet edhe nga Policia e Shtetit.
Salvadore alias Shpëtim Aliu është personi i cili qëndronte në krye të grupit të goditur nga SPAK për trafikun e 50 tonë kokaine. Aliu ishte personi që ka luajtur një rol universal në gjithë skemën e trafikimit të lëndës narkotike, duke shërbyer si hallka furnitore. Ai ishte figura qendrore që furnizonte me kokainë grupet e Shpëtim Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Armando Pacanit.
Në njoftimin zyrtar SPAK, thekson se në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë. Gjatë hetimeve janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.
Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 tonë e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:
Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020– Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 shkurt 2021– Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën
“News24” informon se hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
“Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.
Arrestohen në Rusi dhe në Itali, 2 pjesëtarë të rrjeteve kriminale ndërkontinentale në fushat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe lëvizjes ilegale të emigrantëve.
Si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, gjatë këtyre 2 fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:
-S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
-Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare. Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qendrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.
Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri”.