Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaKonsiderohej kumbar i grupeve shqiptare të narkotrafikut, kush është Shpëtim Aliu që u arrestua në Rusi, i njohur me nofk�

Konsiderohej kumbar i grupeve shqiptare të narkotrafikut, kush është Shpëtim Aliu që u arrestua në Rusi, i njohur me nofk�

Shpëtim Aliu është arrestuar në Rusi në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve rusë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, ndërsa GJKKO i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në qershor të vitit 2026.

Sipas autoriteteve shqiptare, Aliu dyshohet për vepra penale që lidhen me trafikimin e narkotikëve, pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, si dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.

Emri i Shpëtim Aliut është përmendur edhe në hetime të mëparshme të SPAK për veprimtari të dyshuara të krimit të organizuar. Sipas raportimeve mbi dosjet hetimore, ai është identifikuar me nofkën “Salvatore” dhe është konsideruar nga hetuesit si një person me rol në një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Salvadore Aliu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhërarrest nga SPAK, i konsideruar si kumbari i grupeve shqiptare të narkotrafikut, dyshohet të ketë pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale.

Figura kyçe, duket se ka qenë i vëllai, Isa Aliu, i cili ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.

Hetimet e raportuara në lidhje me komunikimet në aplikacionin e koduar Sky ECC kanë përmendur kontakte të tij me persona të tjerë të dyshuar nga autoritetet për përfshirje në grupe kriminale shqiptare në vende të ndryshme të Evropës.

Ai ishte gjithashtu pjesë e dosjes me 10 trafikantët në operacionin antidrogë të kryer nga SPAK pak muaj më parë.

Arrestimi i tij në Rusi u bë pjesë e një serie operacionesh të Interpolit shqiptar kundër personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni “The Wanted” është zhvilluar në bashkëpunim me struktura të huaja policore, me synim lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Lini një koment