Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaAmerikaGjyqtari i emëruar nga vetë Trump skeptik ndaj ndalimit të CNN, MS NOW dhe Politico nga Shtëpia e Bardhë

Gjyqtari i emëruar nga vetë Trump skeptik ndaj ndalimit të CNN, MS NOW dhe Politico nga Shtëpia e Bardhë

UASHINGTON D.C. — Gjyqtari federal Timothy Kelly zhvilloi të mërkurën seancën dëgjimore për kërkesën e CNN, MS NOW dhe Politico për një urdhër të përkohshëm gjyqësor që do të ndalojë vendimin e presidentit Trump për t’i përjashtuar nga Shtëpia e Bardhë. Gjyqtari — i emëruar në detyrë nga vetë Trump — u shpreh hapur skeptik ndaj mënyrës sesi administrata e zbatoi ndalimin.

Në sallën e gjyqit, Kelly deklaroi se procesi i dëgjesës që kërkohet ligjërisht përpara tërheqjes së akreditimeve «nuk u zhvillua këtu», duke u bazuar në vendime të mëparshme gjyqësore. Ai iu referua rastit Acosta të vitit 2018 dhe një precedentin të Gjykatës së Apelit të vitit 1977, të cilat kërkojnë garanci të rregullta për të drejtën e procedurës (due process) për gazetarët.

Kelly theksoi se është i hapur për të dhënë urdhrin e përkohshëm të kërkuar nga tre mediat. Ai vuri në dukje se rikthimi i akreditimeve nuk do ta pengonte presidentin Trump të kufizonte hyrjen e gazetarëve në hapësira më të vogla të Shtëpisë së Bardhë. Vendimi nuk u shpall menjëherë; gjyqtari premtoi se do të përpiqet ta shpallë «sa më shpejt të jetë e mundur».

Tri mediat e paditën administratën të hënën, më 21 shtator, duke e quajtur ndalimin «sulm të drejtpërdrejtë ndaj Amendamentit të Parë» të Kushtetutës amerikane, që mbron lirinë e shtypit. Vetë Trump i ishte përgjigjur padisë të martën me një parashtrim, ku argumentoi se «aksesi në Shtëpinë e Bardhë është privilegj, jo e drejtë».

Presidenti Trump kishte njoftuar ndalimin më 18 shtator, duke thënë se ishte i frustruar nga «historitë kumulative gjatë viteve të fundit» të atyre që ai i quan «lajme të rreme» (fake news). Vendimi i tij shkaktoi reagime të forta nga organizatat e medias dhe mbrojtësit e lirisë së shtypit.

Seanca e së mërkurës ishte hapi i parë gjyqësor në një përplasje që pritet të ketë pasoja të rëndësishme për marrëdhëniet mes presidencës amerikane dhe medias. Vendimi i gjyqtarit Kelly pritet në ditët në vijim.

Burimi: USA Today

Lini një koment