Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaInvestimet në kantina, eksportet e pijeve dhe alkoolit rriten me 33.5% në 8-mujor

Investimet në kantina, eksportet e pijeve dhe alkoolit rriten me 33.5% në 8-mujor

Eksportet e pijeve, alkoolit dhe uthullave po shënojnë një rritje të fortë gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, në periudhën janar-gusht 2026, eksportet e këtij grupi arritën në 3.02 miliardë lekë, me rritje mbi 33% me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në 8-mujorin 2026 eksportet e pijeve zunë 9% të totalit të eksportit të ushqimeve.

Rritja vjen në një periudhë kur industria e pijeve, veçanërisht ajo e verës, ka shtuar gradualisht kapacitetet prodhuese dhe përpjekjet për të hyrë në tregje të reja.

Prodhuesit e verës të intervistuar më herët nga Monitor pohonin se në vitin 2025 prodhimi i rrushit ishte i lartë si në sasi, ashtu edhe në cilësi, i favorizuar nga kushtet klimatike dhe nga zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me vreshta.

Prodhimi më i lartë ka krijuar më shumë mundësi për orientimin e një pjese të sasive drejt eksportit, në një kohë kur tregu vendas vijon të ketë konkurrencë të fortë nga pijet e importuara.

Kantinat shqiptare kanë raportuar gjithashtu përpjekje për zgjerimin e shitjeve në tregjet europiane dhe më gjerë. Në raste të mëparshme, prodhuesit vendas e kanë lidhur rritjen e eksporteve pikërisht me zgjerimin e pranisë në tregje të huaja.

Një tjetër faktor që po mbështet orientimin drejt tregjeve të jashtme është rritja e promovimit të produkteve shqiptare.

Në vitin 2025, prodhues shqiptarë morën pjesë me 20 etiketa premium në panairin ndërkombëtar ”Wine Paris”, në përpjekje për të zgjeruar praninë në tregjet e huaja.

Rritja e 2026-s është e rëndësishme edhe në raport me ecurinë historike.

Eksportet e pijeve, alkoolit dhe uthullave ishin vetëm 555 milionë lekë në vitin 2015, ndërsa arritën kulmin prej 3.83 miliardë lekësh në vitin 2024, ose gati shtatë herë më shumë.

Në vitin 2025, tendenca u ndërpre dhe eksportet zbritën në 3.55 miliardë lekë, me një rënie prej rreth 7.4% në krahasim me vitin 2024, për shkak të dobësive në prodhim.

Por vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2026, eksportet kanë arritur në 3.02 miliardë lekë, ose rreth 85% të vlerës së realizuar gjatë gjithë vitit 2025.

Rikuperimi i kësaj kategorie bie në sy edhe në një periudhë kur eksportet shqiptare në tërësi po kalojnë ditë të vështira.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në gusht, eksportet u rritën me vetëm 1.6%, e ndikuar nga performanca e dobët e tekstileve dhe këpucëve dhe rritja më e dobët e materialeve të ndërtimit e metaleve dhe mineraleve e lëndëve djegëse e energjisë, që dhanë efektin e fortë në korrik./ B.Hoxha

Lini një koment