Vlora Hyseni në “arrest shtëpie”, PD kërkon debat me Ramën në Kuvend
Partia Demokratike ka kërkuar që në seancën e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë të anulohen interpelancat me ministrin e Mjedisit dhe atë të Arsimit dhe të futet në rendin e ditës debat me Kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
“Në përputhje me rolin dhe funksionet e tij, Kuvendi i Shqipërisë duhet të kërkojë urgjentisht nga kryeministri Edi Rama që të japë informacione dhe shpjegime mbi përzgjedhjen e shtetases Vlora Hyseni në këtë detyrë, duke pasur parasysh rekordet e saj problematike në Republikën e Kosovës, si dhe veprimtarinë e saj në drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror, të debatojë mbi përgjegjësitë institucionale, si dhe të vlerësojë marrjen e masave të nevojshme për të parandaluar fenomene të tilla në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e depozituar nga grupi parlamentar i PD, përcjell A2 CNN.
Dy ditë më parë, Gjykata e Posaçme caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për shefen e SHISH, Vlora Hyseni, pasi sipas SPAK është e përfshirë në dosjen AKSHI. Ajo dyshohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit shtetëror”.
Pas këtij vendimi të Gjykatës, Rama shkarkoi Hysenin nga detyra dhe komandoi në krye të SHISH Elvis Lilën.