Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia“Nuk është rast i izoluar”- Çështja ‘Hyseni,’ Tabaku kërkon ndryshimin e rendit të ditës: Është

“Nuk është rast i izoluar”- Çështja ‘Hyseni,’ Tabaku kërkon ndryshimin e rendit të ditës: Është

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi ndryshimin e menjëhershëm të rendit të ditës së Kuvendit dhe zhvillimin e një debati urgjent për sigurinë kombëtare, pas masës së sigurisë ndaj drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni.

Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku deklaroi se masa “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra për drejtuesen e institucionit më të lartë të inteligjencës kanë ndryshuar tërësisht prioritetet e vendit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm parlamentar.

Sipas saj, Kuvendi nuk mund të vazhdojë punimet sikur asgjë të mos ketë ndodhur, në një moment kur ngrihen pikëpyetje serioze për funksionimin e institucioneve dhe mbrojtjen e informacioneve shtetërore.

“Kjo nuk është një çështje e shumicës apo e opozitës. Është një çështje e shtetit shqiptar dhe e sigurisë kombëtare”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate iu drejtua në mënyrë të veçantë deputetëve socialistë, duke u kërkuar të mos heshtin dhe të mos vendosin interesin partiak mbi interesin kombëtar.

“E di se shumë prej jush nuk ndihen mirë me atë që ka ndodhur. Shumë prej jush nuk janë dakord me atë që po ndodh sot në Shqipëri. Është koha të mos qëndroni më me kokën ulur. Duajeni vendin më shumë se partinë”, deklaroi ajo.

Tabaku theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një nga arritjet më të mëdha kombëtare, por paralajmëroi se zhvillimet e fundit rrezikojnë besimin e partnerëve dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

Ajo kërkoi që Kuvendi të ndërpresë rendin normal të punimeve dhe të zhvillojë një debat të posaçëm për të sqaruar nëse është cenuar siguria kombëtare, çfarë informacioni mund të jetë ekspozuar dhe cilat procedura institucionale janë ndjekur.

Sipas Tabakut, rasti Hyseni nuk duhet trajtuar si një episod i izoluar, por si pasojë e një sistemi të degraduar, shenjat e të cilit janë shfaqur më herët te inceneratorët, AKSHI, KAYO dhe çështje të tjera të hetuara ose denoncuara publikisht.

“Ky nuk është një rast i rastësishëm. Është produkt i sistemit që Edi Rama ka ngritur, një sistem që ka cenuar institucionet dhe ka ekspozuar shtetin përballë krimit dhe korrupsionit”, tha deputetja e PD-së.

Në përfundim, Tabaku iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke i kërkuar të rikthejë autoritetin e institucionit dhe t’i japë Parlamentit mundësinë të ushtrojë kontrollin e tij kushtetues.

“Zoti Peleshi, si autoriteti i dytë më i lartë i shtetit, ju kërkoj t’i riktheni dinjitetin Kuvendit. Shqipëria nuk mund ta kalojë këtë ngjarje me heshtje, me kartonë të ngritur dhe me kokën ulur”, përfundoi Tabaku.

Lini një koment