Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaShoqata e Gazetarëve Europianë deklaratë ndaj Klodiana Lalës: E papranueshme

Shoqata e Gazetarëve Europianë deklaratë ndaj Klodiana Lalës: E papranueshme

Shoqata e Gazetarëve Europianë, dega Shqipëri, ka reaguar pas deklaratës së ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala.

Në një deklaratë publike, shoqata e konsideron të papranueshme mënyrën e reagimit ndaj gazetares, duke e cilësuar si intimidim dhe sulm ndaj integritetit profesional.

“E konsiderojmë të papranueshme që pyetjeve të gazetarëve një ish-përfaqësuese e lartë e shtetit t’u përgjigjet me sulme personale dhe insinuata që cenojnë integritetin profesional dhe mund të vënë në rrezik sigurinë e tyre”, thuhet në deklaratë.

Shoqata thekson se deklaratat marrin një peshë të veçantë kur vijnë nga një person që ka drejtuar shërbimin informativ të vendit.

Sipas Shoqatës së Gazetarëve Europianë, gazetarët duhet të kenë mundësi të kërkojnë përgjigje për çështje me interes publik pa u përballur me presion, kërcënime apo përpjekje për diskreditim.

Në përfundim, shoqata shpreh solidaritetin me gazetaren Klodiana Lala dhe u bën thirrje institucioneve kompetente të reagojnë ndaj situatës, të cilën e konsideron shqetësuese për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit.

Lini një koment