Administrata Trump do të ankohet në Gjykatën e Lartë pasi gjykata e apelit bllokoi dëbimet e migrantëve në vende të treta
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Todd Blanche, njoftoi të enjten se administrata Trump do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë amerikane për të kundërshtuar vendimin e një gjykate federale apeli që bllokoi politikën e dëbimeve të shpejta të migrantëve drejt vendeve të treta — vende të ndryshme nga vendlindja e tyre.
Në një postim në rrjetin social X, Blanche shkroi: “Pa i dhënë qeverisë as mundësinë të përgjigjet, dhe në errësirën e natës, një gjykatë federale e apelit na bllokoi kryerjen e të gjitha dëbimeve në vende të treta të alienëve të paligjshëm — një mjet plotësisht i ligjshëm dhe i paçmuar për të ndaluar valën e imigracionit të paligjshëm.” Ai shtoi: “Do të kërkojmë menjëherë lehtësim nga Gjykata e Lartë, e cila më parë na dha një qëndrim (stay) në të njëjtën çështje.”
Nën administratën Trump, Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar marrëveshje që kanë mundësuar dërgimin e më shumë se 25,000 migrantëve në të paktën 29 vende të treta, në shumë raste në Meksikë — sipas projektit “Third Country Deportation Watch” të organizatave Refugees International dhe Human Rights First.
Një panel prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Rrethit të Parë, në Boston, miratoi në masë të madhe vendimin e shkurtit të një gjykate më të ulët, i cili e shpalli të paligjshëm politikën e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS).
Çështja, një padi kolektive e ngritur nga migrantë që janë subjekt i urdhrave të dëbimit, konsiderohet një test kyç për garancitë e procesit të rregullt ligjor (due process) që qeveria duhet t’u ofrojë personave përpara se t’i dëbojë në vende me të cilat ata nuk kanë lidhje.
Burimi: Reuters