Vuçiq paraqet Serbinë si viktimë në OKB, Mujanoviq dhe Serwer ia kundërshtojnë narrativën me luftërat e Millosheviqit dhe Mlladiqin
Pas fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku foli për bombardimet e NATO-s dhe pretendoi se asnjë ushtar apo polic i Serbisë nuk kishte shkelur në territorin e ndonjë shteti tjetër, kanë reaguar analisti politik Jasmin Mujanoviq dhe profesori amerikan Daniel Serwer.
Vuçiq, duke folur për ndërhyrjen e NATO-s më 1999, përmes viktimizimit deklaroi se Serbia ishte bombarduar pavarësisht se, sipas tij, forcat serbe nuk kishin hyrë në territorin e ndonjë shteti tjetër.
“Asnjë ushtar apo polic i Serbisë nuk kishte shkelur në territorin e ndonjë shteti tjetër, megjithatë u mor vendimi për të bombarduar Serbinë”, deklaroi Vuçiq.
Këtij pretendimi i është përgjigjur analisti politik Jasmin Mujanoviq, i cili rikujtoi luftërat e zhvilluara gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit në vitet ’90.
“Deri në kohën kur forcat e Millosheviqit filluan fushatën e tyre në Kosovë, kjo ishte lufta e tij e katërt në më pak se nëntë vjet. Nëse NATO bëri një gabim të madh më 1999, ishte vetëm fakti që nuk e goditi drejtpërdrejt regjimin e Millosheviqit që në vitin 1991 ose 1992”, deklaroi Mujanoviq.
Ndaj pretendimeve të Vuçiqit ka reaguar edhe profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer.
Ai kundërshtoi pretendimin për mungesën e përfshirjes së strukturave të Beogradit në luftën në Bosnje dhe Hercegovinë, duke përmendur konkretisht ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladiq.
“Kjo është një gënjeshtër e rëndë. Vetë Mlladiqi ishte në listën e pagave të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), ashtu siç ishin edhe shumë oficerë të tjerë të Ushtrisë së serbëve të Bosnjës”, shkroi Serwer përmes platformës së tij “Peacefare”.
Dokumente dhe dëshmi të shqyrtuara në proceset e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kanë trajtuar lidhjet financiare dhe institucionale ndërmjet Beogradit dhe strukturave ushtarake serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Human Rights Watch, në analizën e provave të paraqitura në procesin ndaj Slobodan Millosheviqit, ka shkruar se paga të ish-oficerëve të JNA-së që shërbenin në Ushtrinë e Republikës Srpska vazhdonin të financoheshin nga Republika Federale e Jugosllavisë.
Serwer gjithashtu ka shkruar më herët për lidhjet e autoriteteve në Beograd me Mlladiqin, i cili më vonë u dënua me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Po ashtu, dokumentet e NATO-s nga viti 1999 e paraqesin ndërhyrjen në Kosovë në një kontekst tjetër nga ai që Vuçiq paraqiti në OKB. Aleanca deklaronte në atë kohë se kriza ishte pasojë e politikës së represionit, dhunës dhe spastrimit etnik nga regjimi i Beogradit dhe kërkonte tërheqjen nga Kosova të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare jugosllave e serbe.
Edhe dokumentacioni i mëvonshëm i NATO-s, duke iu referuar të dhënave të OSBE-së, thotë se para fillimit të bombardimeve qindra mijëra shqiptarë të Kosovës ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe se ekzistonin dëshmi për një ofensivë të gjerë të forcave serbe./Telegrafi.