Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›CNN, MS NOW dhe Politico kthehen në Shtëpinë e Bardhë pas urdhrit të gjykatës — gazetarët futen brenda në mesditë

CNN, MS NOW dhe Politico kthehen në Shtëpinë e Bardhë pas urdhrit të gjykatës — gazetarët futen brenda në mesditë

Korrespondentja e CNN-it Betsy Klein dhe një foto-gazetar u lejuan të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë të enjten në mesditë, në orën 12:00 sipas kohës së Bregut Lindor të SHBA-ve, pas disa tentativave të dështuara për të hyrë në kompleksin presidencial në mëngjes. Edhe një gazetare e MS NOW u lejua brenda — një kthim i shumëpritur pas urdhrit të gjykatës federale që rivendosi akreditimet e tre mediave.

Në mëngjes, Klein ishte refuzuar në orën 9:00, ndërsa gazetarët e tre mediave nuk u lejuan brenda pavarësisht vendimit të gjykatës. CNN, MS NOW dhe Politico kërkuan menjëherë një seancë urgjente gjyqësore.

Gjykatsi federal Timothy Kelly — i emëruar nga vetë Presidenti Trump — urdhëroi në orët e para të mëngjesit rikthimin e përkohshëm të akreditimeve të shtypit. Sipas tij, revokimi i kartave ishte bërë pa “proces të mjaftueshëm kushtetues”. Argumenti i administratës se masa lidhej me sigurinë kombëtare nuk u pranua nga gjykata, e cila theksoi se “asgjë në dosje nuk sugjeron” një motivim të tillë; ndërsa standardi i sjelljes i cituar nga Shtëpia e Bardhë u konsiderua “aq i paqartë sa nuk mjafton”.

Urdhri i përkohshëm vlen 14 ditë dhe vendimi nuk mund të apelohet menjëherë. Avokati i mediave, Ted Boutrous, e quajti vendimin “të fortë”, duke thënë se ai “mbron lirinë e shtypit, procesin e rregullt dhe sundimin e ligjit”. Në solidaritet me tre mediat dolën edhe ABC, CBS, CNN, Fox News dhe NBC me një deklaratë të përbashkët, ndërsa afër 50 organizata mediatike nënshkruan një brief ligjor në mbështetje të padisë.

Sfondi: Presidenti Trump njoftoi më 18 shtator revokimin e akreditimeve të CNN, MS NOW dhe Politico, duke i akuzuar për “lajme të rreme”. Tri mediat e paditën administratën më 21 shtator.

Burimi: CNN

Lini një koment