Një operacion i përbashkët çon në arrestimin e dhjetëra të lidhur me kartelin meksikan në Ekuador
Forcat amerikane ndihmuan autoritetet ekuadoriane të shkatërronin një degë lokale të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco (CJNG), duke arrestuar më shumë se 30 persona, njoftoi të enjten ministri i brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg.
Siç raporton CBS News, ministri Reimberg tha në një postim në X se operacioni i zhvilluar në orët e para të mëngjesit u realizua në bashkëpunim me trupa amerikane dhe Agjencinë për Zbatimin e Drogave (DEA). Ai përmendi se të arrestuarit dyshohen se kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me CJNG-në.
Sipas autoriteteve, grupi dyshohet të ketë trafikuar kokainë nga Kolumbia drejt tregjeve ndërkombëtare përmes porteve në jugperëndim të Ekuadorit. Në aksion morën pjesë rreth 320 efektivë të policisë ekuadoriane dhe 50 oficerë të uniformuar nga U.S. Southern Command, ndërsa operacionet u zhvilluan në disa qytete. Ministria publikoi edhe foto dhe video që tregojnë bastisjet dhe arrestimet.
Operacionet ushtarake dhe policore kundër organizatave kriminale kanë shkaktuar shqetësime tek disa organizata të të drejtave të njeriut, të cilat denoncojnë raste të përdorimit të tepruar të forcës, torturës dhe zhdukjes së detyruar. Presidenti Daniel Noboa i hodhi poshtë këto shqetësime gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se vendi përballet me kritika të shumta për luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa sipas tij shqetësimi për viktimat nga krimi organizuar është i vogël.
Autoritetet e Ekuadorit kanë zhvilluar më parë operacione të përbashkëta me forca amerikane për të shkatërruar struktura të dyshuara kriminale përgjatë bregdetit. Shteti është përballur në vitet e fundit me një rritje të dhunës dhe të trafikut të drogës, me lidhje mes bandave lokale dhe kartelëve në Meksikë e Kolumbi. Një ndër shënjestrat kryesore ka qenë edhe trafiku i organizuar i udhëhequr nga krerë si Adolfo Macías, i kapur sërish në qershor të vitit 2025 dhe ekstraduar në korrik 2025 në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuza për trafik droge dhe armësh.
Lajmi mbi këtë operacion është bërë po ashtu publik nga CBS News.