Prattipati takon kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Isufajn – për të dytën herë brenda shtatorit
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, u takua me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Annu Partipatti, ushtruesen e detyrës së Zëvendës-shefes së Misionit, Wylita Bell, si dhe me anëtarë të tjerë të ekipit të Ambasadës së SHBA-së.
Gjatë takimit, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Partipatti dhe u.d zv.shefja e misionit Bell, falënderuan Isufajn për bashkëpunimin e suksesshëm, i cili ka ndihmuar në avancimin e prioriteteve kombëtare të SHBA-së, përfshirë ndjekjen penale të krimit transnacional që lidhet me kontrabandimin e migrantëve dhe trafikimin e narkotikëve, si dhe luftën kundër organizatave kriminale transnacionale.
Në njoftim thuhet se bashkëpunimi në këto fusha mbetet jetik për trajtimin e krimit transnacional dhe forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar organizatat kriminale.
Ndryshe, një takim mes tyre ishte zhvilluar edhe më 11 shtator. /Telegrafi/