Besnik Tahiri: Nuk ka seriozitet dhe as vullnet politik për zgjedhjen e presidentit
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se “s’ka seriozitet dhe as vullnet politik me zgjedh presidentin”. Ai tha se vonesat e deritanishme me moskonstituimin e institucioneve dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme nuk janë në adresë të Aleancës, por “në adresën politike dhe përgjegjësive të partive që e bëjnë shumicën”.
Tahiri tha se LVV-ja, si parti në pushtet, mban përgjegjësinë kryesore, duke shtuar se “po të kishte seriozitet e vullnet politik, as kryeministri dhe as liderët e partive nuk kishin fjetur duke munduar me ia dhënë Kosovës një zgjidhje”.
Ai e kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se “fakti që një kryetar i një partie që është edhe kryeministër rrinë një javë ditë në Nju Jork dhe nuk mblidhet një javë për çka ka ndodhur në Hagë tregon papërgjegjësi totale”.
Tahiri shprehu gjithashtu mbështetjen ndaj ndryshimeve ligjore të Gjykatës Speciale: “I dhashë mbështetje Grupit Parlamentar të PDK-së në nismën e tyre për ligjin që tashmë është në Qeveri. Aleanca, çfarëdo iniciative që do të sjellë, do ta ndihmojë drejtësinë dhe kthimin e çlirimtarëve, do ta mbështesë”, tha ai.
Burimi: KosovaPress