Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›KQZ pret Kuvendin, Celibashi kërkon rreth 300 punonjës shtesë për zgjedhjet vendore

KQZ pret Kuvendin, Celibashi kërkon rreth 300 punonjës shtesë për zgjedhjet vendore

Prej gati një muaji Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret nga Kuvendi miratimin e organikës shtesë, për përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore të vitit 2027.

Në kërkesën dhe relacionin shoqërues, dërguar deputetëve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpjegon se institucionit të drejtuar prej tij i nevojiten rreth 300 punonjës shtesë, me kohë jo të plotë.

“Përgatitja e zgjedhjeve vendore të vitit 2027 shoqërohet me një ngarkesë të shtuar pune në disa prej fushave kryesore të veprimtarisë së KQZ-së. Në veçanti, kërkohet mbështetje e shtuar për administrimin dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, kontrollin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive politike dhe subjekteve zgjedhore, monitorimin e përdorimit të burimeve dhe aseteve publike gjatë periudhës zgjedhore, monitorimin e fushatës, si dhe zhvillimin e veprimtarive të edukimit dhe informimit zgjedhor”, lexohet në kërkesë.

Nga këta, një pjesë e vogël do të nisin punë gjatë këtij viti, ndërsa shumica dërrmuese do të punësohet pak para zgjedhjeve, me kontrata të përkohshme 1, 2 dhe 3 mujore, shkruan A2.

“Kjo mënyrë organizimi mundëson përshtatjen e burimeve njerëzore me ngarkesën konkrete të punës dhe me kërkesat e ndryshme që paraqiten gjatë fazave të përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve. Për rrjedhojë, sigurimi i këtij kapaciteti shtesë njerëzor vlerësohet si një masë e nevojshme për të garantuar që strukturat e administratës së KQZ-së, të përballojnë në mënyrë efektive detyrat që burojnë nga përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, lexohet më tej në kërkesën e KQZ.

Shkresa e Celibashit është dërguar nga Kuvendi për trajtim në Komisionin e Ligjeve, që ndërkohë sapo ka nisur të diskutojë ndarjen e re administrative territoriale, që do të zbatohet për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Lini një koment