Friday, 25 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Kërkohet nga Avokati i Popullit ta dërgojë Ligjin për Specialen në Kushtetuese

Kërkohet nga Avokati i Popullit ta dërgojë Ligjin për Specialen në Kushtetuese

Një grup prej 24 përfaqësuesish të shoqërisë civile, akademisë dhe organizatave për të drejtat e njeriut i kanë kërkuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, ta referojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas kërkesës, nga Gjykata Kushtetuese kërkohet të sqarohet nëse mandati i Dhomave të Specializuara është zgjeruar përtej autorizimit të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës — dispozitë që e lidh themelimin e tyre me raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (Dick Marty, 2011) dhe me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale.

Në kërkesë përmendet përmbledhja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke ngritur pyetjen nëse lidhja me raportin e Këshillit të Evropës ka funksionuar si kufizim real i juridiksionit të Speciales, apo si pikënisje për një juridiksion shumë më të gjerë mbi organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nënshkruesit sqarojnë se kërkesa nuk synon rivlerësimin e provave apo përcaktimin e fajësisë — por vetëm përputhshmërinë kushtetuese të legjislacionit. Në emër të grupit, kërkesën e ka dërguar Ramadan Ilazi nga QKSS-ja. Ndër nënshkruesit janë edhe Enver Hasani, Ismet Kryeziu, Lulzim Peci, Visar Ymeri, Leonora Kryeziu dhe Fisnik Korenica.

Burimi: KosovaPress (lajmi u raportua edhe nga katror.info)

Lini një koment