Friday, 25 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Rriten investimet e huaja në Kosovë: 467.4 mln euro në gjashtëmujorin e parë, 68% në patundshmëri

Rriten investimet e huaja në Kosovë: 467.4 mln euro në gjashtëmujorin e parë, 68% në patundshmëri

Investimet e huaja direkte në Kosovë arritën në 467.4 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 8.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pjesa dërrmuese e kapitalit të huaj u orientua në patundshmëri, ndërsa Gjermania dhe Zvicra mbeten burimet kryesore të investimeve.

Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë kanë shënuar rritje prej 8.3 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ndërsa pjesa më e madhe e kapitalit të huaj vazhdon të orientohet në sektorin e patundshmërive.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të përmbledhura nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), investimet e huaja direkte neto në Kosovë gjatë periudhës janar–qershor 2026 arritën në 467.4 milionë euro, duke shënuar rritje prej 8.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. BQK publikon të dhënat për IHD-të sipas sektorëve, shteteve dhe zërave financiarë.

Struktura e investimeve tregon se patundshmëritë mbeten sektori dominues, me 68 për qind të totalit të IHD-ve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Pas patundshmërive, pjesëmarrjen më të madhe e kanë aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 10.4 për qind, prodhimi me 9.6 për qind, të tjera me 4.4 për qind, tregtia me shumicë e pakicë dhe riparimi i automjeteve me 2.8 për qind, furnizimi me energji elektrike, gaz dhe avull me 2.0 për qind, ndërtimtaria me 1.8 për qind, si dhe informacioni dhe komunikimi me 0.9 për qind.

Sa i përket origjinës së kapitalit, Gjermania ishte burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë, me 29.9 për qind të totalit.

Pas saj renditet Zvicra me 17.1 për qind, ndërsa pasojnë Holanda me 9.1 për qind, Shqipëria me 8.4 për qind, SHBA-ja me 7.9 për qind, Mbretëria e Bashkuar me 3.3 për qind, Austria me 2.5 për qind, Italia me 1.9 për qind, Franca me 1.7 për qind dhe Suedia me 1.0 për qind.

Të dhënat e BQK-së tregojnë se Gjermania dhe Zvicra kanë qenë ndër burimet kryesore të IHD-ve edhe në vitet paraprake.

Në një periudhë më të gjatë, nga viti 2008 deri në vitin 2025, investimet e huaja direkte neto në Kosovë kanë arritur në 7.6086 miliardë euro.

Gjatë kësaj periudhe, Gjermania përbën 22.4 për qind të IHD-ve, ndërsa Zvicra 19.6 për qind. Më pas renditen SHBA-ja me 8.5 për qind, Shqipëria me 8.3 për qind, Austria me 6.9 për qind, Turqia me 6.0 për qind, Mbretëria e Bashkuar me 4.7 për qind, Sllovenia me 3.9 për qind, Italia me 1.7 për qind, Franca me 1.4 për qind, Kanadaja dhe Norvegjia me nga 1.1 për qind, ndërsa Hungaria me 0.9 për qind, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maqedonia e Veriut me nga 0.7 për qind.

Paralelisht me rritjen e kapitalit të huaj që hyn në Kosovë, janë rritur edhe investimet direkte të Kosovës jashtë vendit.

Sipas të dhënave të BQK-së, investimet e kosovarëve jashtë vendit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 arritën në 181.3 milionë euro, duke shënuar rritje prej 7.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Sipas OEK-ut, rritja e investimeve të Kosovës jashtë vendit tregon orientimin e bizneseve drejt zgjerimit në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe diversifikimit të kapitalit në sektorë të ndryshëm, përfshirë sektorin financiar, energjinë elektrike, prodhimin dhe ndërtimtarinë.

Lini një koment