Kryebashkiaku i Grand Rapids-it dënon ICE-in dhe kërkon reforma pas vdekjes së Mario David Coronado Juarez
David LaGrand: vdekja ndodhi "në kontekstin e një përpjekjeje kombëtare për të krijuar frikë"; kërkon kamera trupi dhe mbikëqyrje civile për agjentët federalë
Kryebashkiaku i Grand Rapids-it, David LaGrand, dënoi të enjten zyrtarët federalë të emigracionit të përfshirë në vdekjen e emigrantit pa dokumente më 20 shtator, duke thënë se ata kanë krijuar një kulturë frike në të gjithë vendin, dhe kërkoi reforma në agjencinë amerikane të Emigracionit dhe Doganave (ICE), raporton Detroit Free Press.
“Megjithëse nuk e dimë se çfarë mendonte dhe ndjente Mario. E dimë se vdekja e tij ndodhi në kontekstin e një përpjekjeje kombëtare për të krijuar frikë mes fqinjëve tanë emigrantë,” tha LaGrand. “Aktivitetet e shtuara të ICE-it në të gjithë vendin kanë qenë qendrore në këtë frikë të shtuar.”
“Mario ishte anëtar i komunitetit tonë të Grand Rapids-it, por ishte gjithashtu mbajtësi i familjes së tij në Guatemalë, që do të duhet ta vajtojë nga larg. Ne vajtojmë me ta. Jeta e tij meriton të kujtohet me dinjitet, dhe familja e tij meriton dhembshuri, përgjigje dhe drejtësi,” shtoi kryebashkiaku.
LaGrand i bëri thirrje qeverisë federale të marrë masa që përfshijnë kamera trupi dhe mbikëqyrje civile, ndër të tjera.
Deklarata vjen pas vdekjes së Mario David Coronado Juarez, emigrant guatemalas pa dokumente, i cili vdiq të dielën, më 20 shtator, kur makina e tij u përplas me një pemë dhe mori flakë në Grand Rapids, pasi iku nga agjentët e ICE-it. Sipas policisë së Grand Rapids-it, aksidenti ndodhi rreth orës 7:10 të mëngjesit pranë rrugëve Century Avenue dhe McKendrick Street; ai u shpall i vdekur në vendngjarje.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) tha se agjentët federalë u përpoqën ta ndalonin automjetin për të përcaktuar se kush po e drejtonte, por ai u largua me shpejtësi — sipas DHS, me mbi 100 milje në orë. DHS thotë se agjentët nuk po e ndiqnin në momentin e aksidentit dhe se fillimisht kishin kërkuar të ndalonin një person tjetër.
Që nga vdekja, guvernatorja Gretchen Whitmer ka urdhëruar Policinë e Shtetit të Michiganit të kryejë një rishikim të incidentit, sipas zëdhënëses Kaylie Hanson.