4 kilogramë marihuanë sekuestrohen në Fushë Kosovë, arrestohen dy shtetas të Shqipërisë
Rreth katër kilogramë marihuanë janë sekuestruar të premten në Fushë Kosovë, ndërsa dy shtetas të Shqipërisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Operacioni i koduar “Errësira” u realizua më 25 shtator, rreth orës 21:00, në rrugën “Nëna Terezë”, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Gjatë kontrollit të veturës me targa të Shqipërisë, në bagazh u gjetën rreth katër kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me vlerë të përafërt prej 10 mijë eurosh. Policia sekuestroi edhe veturën dhe 22 mijë e 300 lekë të reja.
Pas përfundimit të operacionit, personat e arrestuar u dërguan në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, nën dyshimin e bazuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” (Neni 267).
Burimi: Klan Kosova