Nata e 11-të e protestës “Jo në emrin tim”: Adrian Morina, Arsim Lani, Fahri Fazliu i Ri dhe Arta Jashari në programin e mbrëmjes
Protesta “Jo në emrin tim” hyn sonte në natën e saj të 11-të. Programi i mbrëmjes do të mbahet më 26 shtator 2026, nga ora 21:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me një përmbajtje të pasur artistike e patriotike që nis me Betimin e Ushtarit të UÇK-së.
Mbrëmja do të hapet me betimin simbolik të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin do ta thotë veterani i luftës Halit Zogaj. Pas tij, të pranishmëve do t’u drejtohen me fjalime organizatori i protestës, Çlirim Haziri, dhe nxënësja e gjimnazit “Sami Frashëri”, Olsa Hyseni.
Gjatë mbrëmjes do të shfaqet edhe videoja “Rrëfimi i ushtarit”, ndërsa me fjalime para qytetarëve do të paraqiten aktori Adrian Morina, gazetari Arsim Lani dhe Fahri Fazliu i Ri, nip i heronjve Fahri e Bahri Fazliu.
Programin e mbrëmjes do ta pasurojë sopranoja Arta Jashari, e cila do të interpretojë për të pranishmit këngën “Jam Kosova e Shqiptarisë”.
Protestat “Jo në emrin tim” po mbahen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me kërkesën për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Burimi: Klan Kosova