E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Nata e 11-të e protestës “Jo në emrin tim”, Haziri: Ajo që po presim është veprimi

Nata e 11-të e protestës “Jo në emrin tim”, Haziri: Ajo që po presim është veprimi

Nata e 11-të e protestës “Jo në emrin tim” në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë u shënua me një fjalim të fortë të organizatorit Çlirim Haziri, i cili u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë në mbrojtje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Sonte është dita e 11-të! 11 ditë e 11 net që ky shesh flet. 11 ditë që kërkesat tona janë dëgjuar”, tha Haziri para protestuesve, duke theksuar se pas gjithë këtyre ditëve e netëve të qëndrimit, ajo që pritet tani është veprimi konkret: “Por pas 11 ditësh, ajo që po presim është veprimi!”

Haziri kërkoi përgjegjësi nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, nga deputetët deri te kryeministri: “Prej deputetit të fundit e deri te kryeministri: Sot, në institucionet e një Kosove të lirë… UÇK-ja ka nevojë për institucionet e Republikës së Kosovës! Ka nevojë për veprimin tuaj!”

Ai u bëri thirrje partive politike të mos konkurrojnë mes vete me deklarata, por ta tregojnë qëndrimin e tyre me votë në Kuvend: “Mos garoni mes vete me deklarata. Mos garoni se kush e do më shumë UÇK-në… E keni Kuvendin! E keni votën! Votojeni ligjin! Aty tregojeni qëndrimin tuaj!”

Në fillim të fjalimit, Haziri përkujtoi masakrën e familjes Deliu në Abri të Epërme më 26 shtator 1998, ku forcat serbe vranë 22 anëtarë të kësaj familjeje, duke e lidhur sakrificën e tyre me luftën për liri.

Burimi: KosovaPress

Lini një koment