“Liria Ka Emër” kalon kufijtë e Evropës, mbërrin deri në Japoni
Përkrahja për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kapërcyer tashmë kufijtë e Evropës dhe ka mbërritur deri në Japoni. Anëtarët e Klubit të Karatesë "Lybeteni" nga Ferizaj kanë përcjellë një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së, përmes sloganit tashmë të njohur në mbarë diasporën shqiptare: "Nga Japonia – Liria ka Emër UÇK".
Sportistët ferizajas kanë pozuar me pankartën "Liria ka Emër" në dy vende emblematike të Japonisë — para portës së një tempulli japonez dhe pranë një rrote ferrisi — duke e kthyer gestin e tyre simbolik në një mesazh që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale.
Ky gjest vjen në kuadër të valës së madhe të reagimeve dhe solidarizimit që po shprehet kudo në diasporë dhe në botë në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe ish-krerëve të UÇK-së, pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Vendimi nuk është përfundimtar, pasi pritet shqyrtimi në apel.
Nisma e karateistëve të "Lybetenit" dëshmon se kauza e ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të frymëzojë edhe brezin e ri të sportistëve, të cilët, edhe mijëra kilometra larg atdheut, nuk harrojnë sakrificën për liri.
Burimi: Klan Kosova