Deklaratat e ndryshuara të Gërvallës u morën si referencë për ta mbajtur në burg Selimin
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka folur për herë të parë pas aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë. Në një konferencë për media, e pyetur për kritikat se kishte heshtur, ajo tha se ajo dhe ekipi i saj i janë futur punës që në ditën e parë pas aktgjykimit. “Çështja e Speciales është betejë ligjore, jo e deklaratave në media”, u shpreh Gërvalla, siç njofton Klan Kosova.
Gërvalla mohoi çdo lidhje me dëshmi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. “Nuk kam asnjë hallkë as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Specialen, nuk ka asnjë pikëtakim timin as direkt e as indirekt”, tha ajo.
Por deklaratat e sotme vijnë pas ndryshimit të qëndrimeve publike të saj — dhe sipas gazetares Rina Mujku, ky ndryshim është marrë si referencë për ta mbajtur në burg Rexhep Selimin. Mujku ka thënë se Gërvalla më herët, e pyetur për dërgimin e dosjeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, kishte mohuar se ka dorëzuar dosje apo ka pasur kontakte me hetuesit në Hagë.
Sipas Mujkut, ndryshimi i deklarimeve publike të Gërvallës është marrë si referencë se në Kosovë ka klimë frikësimi dhe intimidimi të dëshmitarëve — një nga arsyet kryesore pse Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u është vazhduar paraburgimi mbi 100 herë që nga nëntori 2020.
Qëndrimet e ndryshuara të Gërvallës u përfolën në një emision televiziv në fillim të gjykimit, dhe më pas ish-kryeprokurori Alex Whiting e shfrytëzoi këtë fakt për të kërkuar vazhdimin e paraburgimit të Rexhep Selimit; Trupi Gjykues e pranoi kërkesën.
Gërvalla përsëriti se nuk ka pasur asnjë pikëtakim me Specialen dhe se fokusi i saj është puna institucionale dhe përgatitjet për fazën e Apelit.