Sunday, 27 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kampionati boteror›‘Tiranathlon’ në kryeqytet, kufizohet qarkullimi në disa rrugë

‘Tiranathlon’ në kryeqytet, kufizohet qarkullimi në disa rrugë

Gara e çiklizmit vrapimit dhe notit, “Tiranathlon”, që zhvillohet sot pranë Liqenit të Farkës, do të sjellë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve rrugore të Tiranës.

Sipas masave të përcaktuara nga Bashkia e Tiranës, kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 08:00 deri në 13:00 dhe do të prekin kryesisht zonën nga Farka dhe TEG-u në drejtim të Shkozës.

Në kuadër të zhvillimit të aktivitetit, qarkullimi do të kufizohet në rrugën “Daxhit”, në segmentin nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”. Në masat e trafikut përfshihet edhe rruga “Dëshmorët e Helikopterëve”.

Kufizime do të ketë gjithashtu në Bulevardin “Zhan D’Ark” dhe në Bulevardin “Bajram Curri”, në segmentin nga ura e Shkozës deri te kryqëzimi me rrugët “Selman Riza” dhe “Kastriot Feska”. Ndërkohë, qarkullimi do të kufizohet edhe në rrugën interurbane kryesore në aksin TEG–Ura e Shkozës, si dhe në një segment të Unazës së Madhe, nga nyja e Rrethrrotullimit të Freskut në drejtim të TEG-ut.

Për shkak të kufizimeve, automjetet do të devijohen përmes Rrethrrotullimit të Freskut, me dalje në rrugën “Xhanfize Keko”.

Ndryshime të përkohshme do të ketë edhe në transportin publik. Linja urbane 10/A, që lidh Maternitetin e Ri me qendrën dhe Ish-Fushën e Aviacionit, do të devijohet përkohësisht në zonën e urës së Brrylit. Ndërsa linja 10/C, në itinerarin Rrethrrotullimi i Shkozës–Ish-Fusha e Aviacionit, do të pezullohet gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit.

Autoritetet bëjnë me dije se mjetet e emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit do të vijojnë të lëvizin normalisht në të gjitha akset e prekura nga masat.

Lini një koment