Sunday, 27 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Kurti pranon letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer: kërkohet marrëveshje për presidentin e ri

Kurti pranon letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer: kërkohet marrëveshje për presidentin e ri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer, me rastin e konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe fillimit të mandatit të ri qeverisës, siç njofton Klan Kosova.

Në letër, kongresisti Latimer shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Kurtin dhe institucionet e Kosovës për avancimin e vlerave të përbashkëta, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik. “Teksa nisni mandatin tuaj të katërt si Kryeministër, pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me ju dhe kolegët tuaj…”, thuhet në letrën e cituar nga Klan Kosova.

Një pjesë e veçantë e letrës i kushtohet zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Sipas raportimit të Klan Kosova, Latimer i ka inkurajuar të gjitha partitë politike në Kosovë që t’i kthehen tryezës së negociatave për të arritur marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare.

Ai ka theksuar se dialogu i hapur dhe bashkëpunimi ndërpartiak për çështjet me interes kombëtar janë thelbësore për përparimin e një shoqërie demokratike, duke iu referuar edhe përvojës së Shteteve të Bashkuara, raporton Klan Kosova.

Kujtojmë se posti i presidentit të Kosovës është vakant, ndërsa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor 2026.

Lini një koment