Turizmi “eco”, FSHZH lidh kontratën 2.4 mln euro për glamping, tree houses e park aventure në Belsh
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) njoftoi së fundmi se ka lidhur kontratën për zgjerimin e Eco Park Dumrea në Belsh, projekti që parashikon ngritjen e strukturave të reja të akomodimit në natyrë, nga glamping dhe shtëpitë në lartësi, te një park aventure dhe hapësira të tjera rekreative e edukative.
Kontrata është lidhur me bashkimin e operatorëve “2 N” sh.p.k. dhe “Shendelli” sh.p.k., me një ofertë prej 217.6 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 2.4 milionë euro. Projekti është pjesë e programit të FSHZH-së për ngritjen e produkteve të reja turistike në zona me potencial zhvillimi rajonal dhe lokal.
FSHZH e shpalli tenderin në qershor, me një fond limit prej 333.1 milionë lekësh pa TVSH. Objekti i procedurës ishte pasurimi me funksione të reja i Eco Park Dumrea në Belsh, përmes një kontrate “me çelësa në dorë” kurse fati për realizimin e saj është përcaktuar në 20 muaj.
Projekti është prezantuar si pjesë e orientimit të Belshit drejt turizmit “eco”, me investime që kombinojnë akomodimin në natyrë me aktivitete rekreative dhe edukative pranë Liqenit të Marinës.
Projekti
Pjesa kryesore e projektit lidhet me krijimin e kapaciteteve të reja të akomodimit. Raporti arkitektonik parashikon 14 shtëpi në lartësi, ose “tree houses”, të ngritura mbi struktura druri dhe të lidhura mes tyre me platforma dhe shkallë të jashtme.
Shtëpitë janë konceptuar në tre module dhe kanë një kapacitet të përgjithshëm prej 56 deri në 84 persona. Strukturat ngrihen mbi terren për të shmangur ndërhyrjet e mëdha në tokë dhe për të ruajtur gjelbërimin ekzistues.
Një tjetër pjesë e akomodimit do të jetë zona glamping, me 14 njësi të shpërndara mes gjelbërimit dhe pranë brigjeve të liqenit. Çdo njësi është projektuar për katër deri në gjashtë persona, me bllok sanitar të integruar dhe platformë të jashtme të mbuluar. Kapaciteti i kësaj zone arrin gjithashtu në 56-84 persona.
Në projekt është përfshirë edhe “Adventure Park – Survivors Area”, një zonë me struktura dhe pengesa në natyrë që arrijnë deri në shtatë metra lartësi. Ajo do të ketë elemente vertikale dhe horizontale, struktura me litarë dhe rrjeta, lojëra dinamike dhe do të integrojë edhe zipline-in ekzistues.
Kompleksi plotësohet me hapësira edukative dhe rekreative, ndër të cilat sallë multifunksionale, klasa modulare, sera, pavijone në natyrë, amfiteatër të hapur, pishinë, fusha sportive, restorant dhe zgjerim të parkimit. Masterplani i vendos funksionet e akomodimit në zonat më të qeta të parkut, ndërsa aktivitetet rekreative dhe hapësirat e socializimit zhvillohen më pranë liqenit./ N.Maho
Belshi drejt turizmit “eco”, FSHZH tender 3.4 mln euro për glamping, tree houses dhe park aventure