Kushtrim Gara: Familjarët e të zhdukurve mirëpresin aksionin në veri — “Dhimbja nuk zhbëhet, por sjell ngushëllim”
Familjarët e personave të zhdukur kanë mirëpritur aksionin e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në Zubin Potok, ku të dielën u arrestuan nëntë persona nën dyshimin se kanë kryer krime lufte, siç njofton Klan Kosova nga emisioni “Ora Shtatë”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë dhe Policisë, operacioni “Dosja 23” ka lidhje me “Grupin e Intelektualëve”, ku tre nga 23 persona janë identifikuar pas zbulimit të varrezave masive në Zubin Potok.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se ka mirëpritur dhe mbështetur veprimet e Policisë së Kosovës, përkatësisht të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës. “Familjet kanë pritur gjatë dhe meritojnë të vërtetën e plotë dhe drejtësinë. Siç e kanë thënë edhe vetë familjarët, drejtësia nuk e zhbën dhimbjen, por sjell ngushëllim për familjet dhe dëshmon se vuajtja e tyre nuk është harruar”, deklaroi Gara.
Gara bëri të ditur se familjarët kanë deklaruar se ky aksion nuk e zhbën dhimbjen, por është një lloj ngushëllimi për ta.
Sa i përket mbetjeve mortore të tjera që janë në proces të ekzaminimit të ADN-së, Gara tha në Klan Kosova se po bëhet çmos që ato të procedohen sa më shpejt.